Urrejtja dhe dhuna janë akte kriminele dhe qyqare të tradhtisë!

CIVIL – Qendra për Liri shpreh neveri dhe dënon ashpër aktet e dhunës në Shkup dhe në qytetet tjera në Republikën e Maqedonisë. Përgjegjës për gjuhën e urrejtjes dhe thirrjet për dhunë etnike dhe politike janë pikërisht strukturat e fuqisë që akoma janë në pushtet, ndërkohë që përfaqësuesit e tyre të lartë janë nën hetime për vepra serioze penale, keqpërdorime të rënda dhe mashtrime zgjedhore.Strukturat kriminele përsëri po tentojnë të shkaktojnë trazira dhe dhunë, të motivuar nga urrejtja etnike dhe ndarjet politike. Ata e rrezikojnë sigurinë dhe stabilitetin e mbarë vendit, me një qëllim të vetëm – ta pengojnë drejtësinë dhe kthimin e demokracisë dhe sundimit të së drejtës në Republikën e Maqedonisë.

Civili e njeh shkrimin e autorëve të këtij skenari. Thirrjet publike për dhunë i adresuan pikërisht përfaqësuesit më të lartë të partisë qeverisëse, ndërsa veprimet e partnerëve të tyre të koalicionit dhe bashkëpunëtorëve në sundimin kriminel nuk mbetën prapa tyre, në thellimin e krizës dhe nxitjen ose mundësimin e tensioneve.

U derdh gjak dhe njerëz u gjendën nëpër spitale me lëndime të rënda. Rrihen gazetarë, të cilët e kryejnë punën e tyre, ta informojnë publikun për ngjarjet. Kjo është e papranueshme dhe duhet menjëherë të ndërpritet!

Për këtë arsye, Civili i bën thirrje Ministrisë për Punë të Brendshme të marrë masa urgjente dhe veprime për ndalimin e përshkallëzimit të dhunës dhe të zbatojë aksion me vendosmëri për gjetjen e organizatorëve dhe inspiruesve, si dhe zbatuesve të akteve të dhunshme, dhe t’i nxjerrë para drejtësisë të gjithë, pa përjashtime dhe seleksionim. E përkujtojmë MPB për ditët kur derdhte gërmadha të blinduara të armatosura policore mbi demonstruesit, të cilët me të vërtetë protestonin në mënyrë të qetë dhe kërkonin liri, drejtësi dhe demokraci. Sigurimi i protestave, të cilave u paraprinë thirrje të hapura për dhunë, është i pamjaftueshëm në këto ditë. E përkujtojmë Ministrinë për Punë të Brendshme se mungesa e reagimit përkatës ligjor është e barabartë me bashkëpunim, nëse jo edhe nxitje të dhunës, gjë për të cilën një ditë do të duhet të jepet përgjegjësi.

I ftojmë të gjithë qytetaret dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë ta dënojnë dhunën dhe mbjelljen e frikës dhe urrejtjes, pavarësisht nga cila anë vjen. Kërkojmë nga të gjithë qytetarët e vetëdijshëm dhe me përgjegjësi, të japin kontributin e tyre për kthimin e rendit dhe qetësisë në vend, dhe të jenë të përmbajtur në çastet e rënda të këtij episodi të fundit, të zi.

Civili u bën thirrje të gjithë qytetareve dhe qytetarëve të brengosur për gjendjen, të shpërndajnë informata, video regjistrime dhe fotografi, me të cilat do të mundësohet zbulimi dhe parandalimi i përshkallëzimit të mëtejmë.
U bëjmë thirrje prindërve të mos lejojnë që fëmijët e tyre të përzihen në spiralen e dhunës, nga e cila nuk ka kthim dhe me të cilën fëmijët e tyre si dhe ata vetë do të duhet të përballen gjithë jetën.
U bëjmë thirrje qytetareve dhe qytetarëve të vendit tonë të përbashkët  të mos lejojnë të manipulohen. Mos bini pre e thirrjeve për mbrojtje të rreme të një gjëje që nuk është e vënë në pyetje, sepse nuk është në pyetje as mbrojtja e gjuhës, as identiteti, as historia, por bëhet fjalë për edhe një tentim për tërheqjen e vëmendjes nga zbulimi i turpshëm i strukturave kriminele në vendin tonë.
Anëtarët dhe simpatizuesit e partive qeverisëse, të punësuarit në administratën publike,  bujqit, pranuesit e ndihmave nga shteti, pensionistët, duhet të dinë se nuk i kanë borxh askujt, dhe nuk duhet të lejojnë të bëhen mburojë e gjallë dhe instrument për mbrojtjen e krimit. Nuk ka arsye të urreni askënd, edhe më pak t’i mbroni ata, të cilët u pasuruan përmes keqpërdorimit dhe plaçkitjes së të mirave publike. Është e qartë si dita, një grusht kriminelësh të cilët vidhnin dhe jetonin jetë të pasur në llogari të të varfërve, tani dëshirojnë që po ata njerëz t’i tërheqin në një skenar të përgjakur.

U bëjmë thirrje liderëve të ndërgjegjshëm të bashkësive dhe strukturave të shëndosha në të gjitha partitë politike, pavarësisht nga cila anë e paletës politike, të dalin dhe të dënojnë dhunën dhe të ndërmarrin hapa drejt qetësimit të gjendjes.

Rrahja e gazetarëve dhe kalimtarëve të pafajshëm, jo vetëm që është krim i rëndë, por është edhe akt amoral dhe qyqar!

Të kërkohet liri, drejtësi dhe demokraci, është obligim dhe përgjegjësi madhështore njerëzore, jo tradhti. Të rrihet, të urrehet, të mbrohet krimi – kjo është tradhti.

This post is also available in: MacedonianEnglish