Ne, qytetarët, kemi të drejtë të marrim pjesë në formësimin e shoqërive tona
Të drejtat e njeriut dhe liritë themelore çdo ditë e më tepër po shkelen anembanë botës. Në një numër të madh të vendeve, njerëzit dhe organizatat e tyre po përballen me kufizime serioze dhe janë të privuar nga e drejta për pjesëmarrje në formësimin e shoqërive të tyre. Aktivistët janë të rrezikuar, të përndjekur, të burgosur, të torturuar dhe të vrarë. Organizatat e shoqërisë civile janë të stigmatizuara, për shembull, si agjentë të huaj ose si ekstremistë, ata janë të penguar në punën e tyre, të privuar nga financimi, u ndalohet të punojnë dhe shpërbëhen. Mundësitë për pjesëmarrje të qytetarëve në jetën publike janë të kufizuara ose të mbyllura.
Prapëseprapë, derisa qytetaret dhe qytetaret me të vërtetë nuk marrin pjesë, bota nuk to të ketë mundësi t’i tejkalojë sfidat e veta më të rrezikshme, duke e përfshirë edhe varfërinë e vazhdueshme, ekstremizmin e dhunshëm, pabarazinë në rritje dhe ndryshimet klimatike.
Pjesëmarrja individuale dhe kolektive e qytetarëve i sjell jetë dhe i jep kuptim demokracisë. Kjo është me rëndësi thelbësore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në arritjen e zhvillimit dhe ndërtimit të shoqërive tolerante dhe paqedashëse. Me këtë sigurohet që ata, të cilët kanë funksione publike ose pozita tjera të fuqisë, të përgjigjen për veprimet e tyre dhe të punojnë për të mirën e përgjithshme.
Ne e refuzojmë çdo tentim të pengimit të qytetarëve të marrin pjesë në formësimin e shoqërive të tyre, vendeve të tyre dhe planetit tonë të përbashkët.
Karta Qytetare siguron kornizë për pjesëmarrje të qytetarëve
Karta Qytetare është e themeluar në njerëzimin, të përbashkët për të gjithë, dhe i pasqyron të drejtat, liritë dhe parimet botërisht të pranuara të njeriut. Ajo siguron kornizë për pjesëmarrje të qytetarëve, e cila i identifikon të drejtat e tyre në kuadër të të drejtës ndërkombëtare dhe marrëveshjeve ekzistuese.
Është imperativ që të gjitha qeveritë, të gjitha nivelet e administratës publike, institucionet ndërkombëtare, bizneset dhe organizatat e shoqërisë qytetare anembanë botës, t’i respektojnë dhe t’i zbatojnë tërësisht përcaktimet nga kjo Kartë.
Ne, qytetarët, kemi të drejtë në këto të drejta, të cilat duhet të respektohen, të mbrohen, të promovohen dhe të zbatohen tërësisht kudo dhe pa çfarëdo lloj diskriminimi:
- Liria e shprehjes: Çdokush ka të drejtë t’i zbatojë, t’i diskutojë dhe t’i promovojë qëndrimet dhe idetë e veta, t’i mbështesë idetë e tjerëve ose të shprehë mospajtim.
- Liria e informacionit: Çdokush ka qasje të lehtë dhe me kohë deri te të gjitha informatat publike.
- Liria e tubimit: Çdokush ka të drejtë për tubim të qetë me persona tjerë, për realizimin e qëllimeve dhe aspiratave të përbashkëta.
- Liria e shoqërimit: Çdokush ka të drejtë të formojë, të kyçet ose të mbështesë organizata për avancimin e qëllimeve të përbashkëta në mënyrë paqësore.
Që të munden të gjithë qytetarët t’i gëzojnë këto të drejta, duhet të garantohen këto gjëra:
- Pjesëmarrje efektive: Qytetarët dhe organizatat e tyre mund realisht të marrin pjesë dhe të ndikojnë mbi politikat publike dhe proceset e vendimmarrjes në nivel lokal, nacional dhe global.
- Mbështetje financiare: Qytetarët dhe organizatat e tyre kanë të drejtë të kërkojnë ose të japin mbështetje financiare nga vendi i tyre ose nga vende tjera.
- Mundësi për bashkëpunim: Qytetarët dhe organizatat e tyre janë të lira të angazhohen në dialogun dhe bashkëpunimin vendor dhe ndërkombëtar.
Këto të drejta janë legjitime derisa nuk i pengojnë të drejtat e të tjerëve, ose nuk nxisin urrejtje, diskriminim, armiqësi ose dhunë.
Me qëllim që të sigurohet se bashkëpunimi mes qytetarëve, qeverive të tyre dhe institucioneve sjellin përfitim maksimal për të gjithë ne, duhet të respektohen parimet në vijim:
- Obligim të mbrojë: Secila qeveri u siguron qytetarëve dhe organizatave të tyre të drejtë të angazhohen pa përndjekje, torturim ose kërcënime për jetën e tyre dhe të mos jenë objekt i dënimit kolektiv për arsye se i kërkojnë të drejtat e tyre fundamentale.
- Mjedis që mundëson: Secila qeveri miraton masa administrative, ligjore dhe masa tjera për respektim, mbrojtje, promovim dhe plotësim të të drejtave dhe lirive të vendosura në këtë Kartë dhe hulumton sulmet mbi individë dhe organizata me qëllim që kryerësit e dyshuar të përgjigjen në pajtueshmëri me standardet ndërkombëtare për drejtësi.
- Përgjegjësi publike: Qeveria, biznesi dhe shoqëria qytetare përgjigjen para publikut.
Përgjegjësia jonë individuale dhe kolektive
Qytetaret dhe qytetarët dhe organizatat e tyre angazhohen për drejtësi dhe dinjitet anembanë botës. Kyçja e tyre na siguron mundësinë që në mënyrë kolektive t’i tejkalojmë sfidat tona.
Pavarësisht nëse jemi të kyçur në qeveri, në biznes ose në organizatat e shoqërisë civile, është përgjegjësi e jonë kolektive që të sigurojmë dhe të kontribuojmë për ardhmëri të qetë, të drejtë dhe të qëndrueshme për të gjithë ne.
Si nënshkrues
- Kërkojmë që të gjitha qeveritë dhe institucionet e tyre t’i respektojnë, mbrojnë, inkurajojnë dhe t’i zbatojnë në tërësi të gjitha konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare, me të cilat përcaktohen të drejtat e qytetareve dhe qytetarëve të marrin pjesë, dhe u bëjmë thirrje bizneseve, organizatave të shoqërisë civile, institucioneve ndërkombëtare dhe faktorëve tjerë që të veprojnë në përputhje me këto konventa;
- Ne obligohemi se do t’i mbrojmë dhe sigurojmë të drejtat e njerëzve për participim, siç është e përcaktuar në këtë Kartë;
- Ne jemi solidarë me të gjithë njerëzit të cilëve u janë rrezikuar të drejtat për participim në formësimin e shoqërive të tyre.
This post is also available in: Macedonian