CIVIL-i në vazhdimësi alarmon opinionin, institucionet, partitë politike dhe mediat për abuzimin e fëmijëve për qëllime politike, dhe kërkon nga institucionet që ti sanksionojnë të gjithë ata që në çfarëdo mënyre i përfshijnë fëmijët në politikë.
Ekipi monitorues i CIVIL –it konstaton numër të madh rastesh të abuzimit të fëmijëve dhe të miturve, si në kontekst zgedhor, ashtu edhe për përhapjen e urrejtjes etnike dhe fetare, por edhe për përhapjen e propagandës qëllimkeqe ruse.
Abuzimi politik me fëmijët është i ndaluar me ligj!
Në Nenin 12, paragrafi 4 i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve thuhet:
“Abuzimi i fëmijëve për shkak të organizimit dhe veprimit politik apo fetar është i ndaluar”.
CIVIL-i kërkon nga partitë politike, prindërit, mediat dhe institucionet që t’i lirojnë fëmijët dhe të miturit nga ambiciet e tyre politike – me këtë ata shkelin ligjin dhe të gjitha normat etike.
Çdo fëmijë, pa përjashtim, ka të drejtën për një jetë dinjitoze dhe të gëzojë të gjitha të drejtat e renditura në Deklaratën e të Drejtave të Fëmijëve dhe në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijëve. Fëmijët kanë të drejtën e një fëmijërie pa brenga, të lirë nga ngjarjet e përditshme politike dhe operacionet propagandistike.
Nuk duhet të lejohet fëmijët të jenë viktima të politikës dhe të operacioneve të propagandës keqdashëse të huaja! Partitë politike dhe mbështetësit e tyre duhet të kontribuojnë në mbrojtjen e fëmijëve dhe jo në abuzimin e tyre.
Shteti dhe institucionet kanë për obligim t’u sigurojnë fëmijëve zhvillim fizik, mendor, shpirtëror, moral dhe social, një mënyrë jetese të shëndetshme dhe normale në kushte lirie dhe dinjiteti.
Shteti, prindërit, partitë dhe mediat janë të obliguara ti mbrojnë fëmojët nga propaganda!
CIVIL –i kërkon nga institucionet të ndërmarrin sanksione vendimtare kundër të gjithëve që do të tentojnë fëmijët dhe të miturit ti vendosin në listën e tyre të aktiviteteve propagandistike. Kjo thjeshtë duhet të ndalohet, menjëherë!
CIVIL
This post is also available in: MacedonianEnglish