Dënim për sulmin mbi gazetaren Arbana Xharra!

CIVIL –Qendra për Liri e dënon ashpër sulmin mbi Arbana Xharrën, gazetaren Kosovare, ish – kryeredaktoren e gazetës “Zëri”, e cila mbrëmë vonë u rrah brutalisht para banesës saj në Prishtinë.

Disa orl para sulmimit, Xharra ka qenë mysafire në emisionin Shqiptar “Oktapod”, në të cilin i ka kritikuar ashpër politikat e presidentit Erdogan dhe të Turqisë zyrtare, otomanizmin dhe islamizmin e dhunshëm që po zbatohet në Kosovë, i ka zbardhur emrat e personave publikë, shoqatave dhe institucioneve që financohen nga fondet e Erdoganit dhe të cilët në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i promovojnë politikat e tij.

Para disa ditësh ajo u kyç në Partinë Demokratike të Kosovës dhe u deklarua se do t’i merr të gjitha masat demokratike që i ka në dispozicion, që Kosova të mos ketë fare marrëdhënie me Turqinë dhe të luftojë kundër politikave të Erdoganit.

Policia e Republikës së Kosovës e ka konfirmuar rastin, ndërsa pas ndihmës së dhënë në Qendrën Klinike në Prishtinë, Xharra është lëshuar në mjekim shtëpiak.

Civili këtë sulm nuk e konsideron vetëm si sulm mbi grua – gazetare, por si sulm mbi lirinë e shprehjes, dhe mbi parimet dhe vlerat demokratike.

Civili e dënon ashpër sulmin mbi gazetaren Xharra, dhe u bën thirrje autoriteteve dhe institucioneve Kosovare që sa më shpejtë ta zgjidhin rastin dhe kërkon ndëshkim  të ashpër për vepruesit. Njëkohësisht, Civili kërkon mbrojtje më të madhe të gazetarëve në Kosovë, sepse kjo nuk është hera e parë që Xharra përballet me kërcënime dhe dhunë. Për shkak të kritikave të ashpra ndaj pushtetit në Kosovë, si dhe për shkak të paralajmërimit për aderimin e saj në PDK, ajo vazhdimisht ka pranuar mesazhe kërcënuese nga persona të panjohur të cilët i kanë shkruajtur mbi muret e shtëpisë së saj në Prishtinë.

This post is also available in: MacedonianEnglish