Çfarë tjetër duhet të ndodhë, edhe sa familje të vishen me të zeza, që ministri i shëndetësisë Nikolla Todorovi të marrë përgjegjësi për gjendjen e mjerueshme në shëndetësi? Pasi as protestat e zëshme të qytetarëve në Shkup dhe në Veles, për shkak të vdekjes së vajzës nëntëvjeçare Tamara Dimovska, nuk ishin arsye e mjaftueshme që më në fund të fillohet me rianimimin e shëndetësisë publike të shkatërruar në Maqedoni, këto ditë, mediat e internetit e publikojnë letrën prekëse të babait të 12-vjeçares Anamaria, e cila ndërroi jetë në Klinikën për Sëmundje Infektive, natën mes 28 dhe 29 janarit. Ndërsa, reaksion të ministrit të këtij resori, i cili në video-simulues luante intervenim kirurgjik, apo nga qarqet e thirrura mjekësore – ende s’ka!
Edhe pas këtij rrëfimi tragjik, CIVIL – Qendra për Liri përsëri kërkon që ministri i shëndetësisë Nikolla Todorov, menjëherë të japë dorëheqje të parevokueshme nga funksioni. Për t’i mundësuar pasardhësit të tij, këtë herë të zgjedhur nga radhët e ekspertëve, të përpiqet që shëndetësisë publike të Maqedonisë t’ia kthejë humanen, etikën dhe përkujdesjen e humbur ndaj pacientëve. Ndërsa atyre, mundësinë që të trajtohen në mënyrë dinjitoze. Që tragjeditë e këtilla mos përsëriten më kurrë.
CIVIL – Qendra për Liri u bën thirrje organeve dhe institucioneve kompetente dhe organizatave esnafe të mjekëve, në mënyrën më urgjente t’i verifikojnë faktet e këtij rasti dhe rasteve të ngjashme dhe të ngritin procedurë për përcaktimin e përgjegjësisë, morale, profesionale dhe penale të të gjithë të involvuarve.
Link për te letra e babait të Anamarisë në maqedonisht.
Македонски
Shqip
English





