Në organizim të Rrjetit Ballkanik të Raportimit Hulumtues (BIRN) dhe Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të SH.B.A (USAID), dje në Shkup u mbajt trajnimi me temë ‘’Gazetari hulumtuese dhe bashkpunim ndërmjet mediave dhe sektorit qytetar’’, në të cilin morën pjesë 15 gazetarë nga redaksi të ndryshme të mediave në gjuhën shqipe në Maqedoni. Si trajnuese gjatë kësaj punëtorie ishte e angazhuar Jeta Xharra, një prej gazetareve më të njohura hulumtuese në Kosovë dhe rajon.
Punëtorinë e hapi Ana Petrusheva, drejtoreshë e ueb-faqes së BIRN, “Balkan Insight”. Sipas saj, qëllimi i projektit është që gazetarëve të rinj t’ua mësojë përpunimin, atribuimin dhe hulumtimin e lajmit. Në kuadër trajnimit, gazetarët e rinj fituan shkathtësi për më shumë aspekte të punimit të një produkti hulumtues gazetaresk. “Si të gjesh dhe të prodhosh një storie”, “Burimet dhe teknikat e intervistimit“, “Qasja në informacione” dhe “Etika në raportim dhe hulumtimi”, ishin disa prej temave të trajnimit.
[youtube]https://www.youtube.com/watch?v=0zAcfiyUGxo[/youtube]
Pjesa dërmuese e pjesëmarrësve ishin të entuziazmuar me njohuritë që fituan gjatë kësaj dite. “Tek gazetarët shqiptarë flasim se pala tjetër gjithmonë ka pasur gazetarë që kanë hulumtuar tema me interes publik. Besoj se do t’ia dalim dhe bashkërisht nga trajnimet do të nxjerrim një platformë të përbashkët, e cila do të çojë drejt asaj që ne t’ia fillojmë t’i bëjmë gjërat në praktikë. Jam i vetëdijshëm që do të hasim pengesa, mirëpo megjithatë, këmbëngulja dhe dëshira për profesionin tonë do të na bëjë që ne të jemi fitimtarë bashkë me publikun dhe jo me ata që punojnë kundër interesit të publikut”, thotë Adrian Kerimi, gazetar i TV Shenja.
[youtube]https://www.youtube.com/watch?v=MH05JZlucNk[/youtube]
Mensur Krasniqi nga portali “Sheshi” vlerëson se ardhja e BIRN-it në Maqedoni është një mundësi e mirë dhe reale për gazetarët që kanë interes të veçantë për të krijuar një gazetari hulumtuese “Përvoja e Jeta Xharrës, një gazetare nga Kosova, është përvojë e jashtëzakonshme. Ne do të kemi mundësi që të njoftohemi se si bëhet një shkrim hulumtues dhe më pas ndoshta do të na jepet mundësia e një bashkpunimit eventual me BIRN-in”, shprehet ai.
Ekspertet e BIRN konsiderojnë se mediat në Ballkan, qoftë në Maqedoni, në Kosovë, në Sërbi apo në Bosnje, po ballafaqohen me presione të ndryshme nga pushtetet aktuale. Ato theksuan se mediave dhe gazetarëve në Maqedoni u mungon liria e raportimit dhe e drejta e publikimit të lajmit.
Behar Memishi
This post is also available in: Macedonian