Zakonisht i vetëmjaftueshëm dhe i mbifuqishëm, ndërsa tani, me rezultat të përgjysmuar zgjedhor dhe reputacion të shkatërruar, Ali Ahmeti këtyre ditëve është në kërkim të partnerëve mes liderëve të partive shqiptare. Çfarë kërkon Ahmeti?
Para së gjithash, ai tenton të kthejë së paku një pjesë nga ndikimi të cilin e ka partia e tij, duke përdorur floskula të shpëlara dhe loja nacionaliste, që të përfitojë nga votat të cilat i fituan lojtarët e rinj në terrenin politik të shqiptarëve në Maqedoni. Ai tenton ta mjegullojë realitetin dhe faktin se rezultati i tij zgjedhor është pasojë e shërbimit të tij shumëvjeçar në sistemin kriminel të Nikolla Gruevskit.
Edhe rezultati i këtillë zgjedhor i Ahmetit është pjesë e kontrollit dhe presionit në stilin e VMRO-DPMNE, dhe jo i përcaktimit të vërtetë të shumicës së votuesve të tyre. Ata kanë frikë nga Ahmeti, ose janë të blerë. Duke u nisur nga koleget dhe kolegët e tij të deri djeshëm në udhëheqësinë më të lartë, dhe duke mbaruar me votuesit e varfër dhe të lënë pas dore më tepër se kurdoherë. Ai votuesve të tij nuk u ofron mbrojtje të të drejtave të njeriut, drejtësi sociale dhe jetë dinjitoze. Luftëtari i vetë – deklaruar për të drejtat e shqiptarëve, vetëm i mbylli në geto të varfër dhe sundon në universin e tij të ndarë nga realiteti! Gjëja e vetme të cilën ai ofron në menynë e tij, kur zbret nga retë me para dhe fuqi, është flamuri kombëtar dhe dygjuhësia. Kështu është nga ulja e tij në fronin e fuqisë, bashkë me Gruevskin.
Po, Gruevskin, i cili është në krye të klikës e cila poshtëron, tërheq për veshë dhe qafë, arreston dhe vranë njerëz të pafajshëm, shkel mbi dinjitetin e të gjithëve, jo vetëm atë të shqiptarëve, të cilët i emëron si “tribu” dhe “indianë”, vjedh pa masë... Ja, me atë është Aliu, i dëgjueshëm si këlysh para tij, ndërsa egërson para shqiptarëve të “tij”, të cilët dëshiron t’i shndërrojë në tufë të dëgjueshme siç është ai para Gruevskit.
Thonë Presidenti Ivanov është i heshtur. Vallë keni dëgjuar Ahmetin ndonjëherë të thotë gjë thelbësore?
Dhe tani, tenton të shpëtojë nga hetimet për atë dhe për pronarin e tij të vërtetë, Gruevskin, dhe ndërkohë të mbetet në fronin e pushtetit, cili do që ta fitojë, në këtë periudhë të rëndë dhe delikate post-zgjedhore. Duke e imponuar tempon me retorikën e tij nacionaliste e cila nuk dallon nga ajo e nacionalistit Gruevski dhe kompanisë.
Ahmeti veç më e din se mund të ketë sukses vetëm si spekulant shitblerës në Bit Pazar. Një pjesë e liderëve politik të partive tjera të shqiptarëve e pranuan lojën dhe tentojnë t’i shesin votuesit e tyre sa më shtrenjtë. Me, ose pa qëllim, ata futen në kurthin e Ahmetit – që ti shiten atij sa më shtrenjtë, ndërsa ai t’ia shesë atij që do të krijojë qeverinë.
Ziadin Sela, renegati nga PDSH e Menduh Thaçit, të cilit, mes tjerash i ka borxh çdo gjë që ka në politikë...Ai tenton të flirtojë me të gjithë, por më shumë me Ali Ahmetin, të cilit mundohet t’i bëjë lajka dhe njëkohësisht ta kritikojë, por edhe ta relativizojë sundimin e VMRO-DPMNE. Në deklaratën e tij për CIVIL-Media, ai thotë se “ edhe BDI edhe PDSH janë përgjegjëse, por fajtorët për gjendjen e shqiptarëve në Maqedoni janë VMRO-DPMNE dhe LSDM”, me çfarë, në fakt, kalkulon me të gjithë, por vetëm për interesin e tij, me qëllim të qartë për grabitje të sa më tepër nga pushteti me tre mandatet e deputetëve. Sidoqoftë, Sela në mënyrë të përkryer i përshtatet shemës shitblerëse të Ahmetit. Me fjalë tjera, politikanët shqiptarë janë të këqij, por akoma më të këqij janë politikanët maqedonas...
Për Thaçin nuk ka diçka shumë të komentohet. Ai ngadalë po zhduket nga skena politike, ndërsa dorëheqja e tij nga pozita e liderit nuk do ta minimizojë përgjegjësinë e tij për bashkëpunim me sundimin kriminel të VMRO-DPMNE. Tentimi i tij që ta paraqesë dorëheqjen e tij si akt moral, nuk do të ketë sukses. Ai do të mbahet mend si politikani besnik i Sasho Mijallkov-it. Deri në vdekje, a po jo..?
Në logjikën e politikanëve shqiptarë, LSDM janë kërcënim i drejtpërdrejtë për ata. Shqiptarët, për herë të parë në historinë e Maqedonisë votojnë për program politik, e jo për parti etnike. Për herë të parë në skenë janë qytetaret dhe qytetarët të cilët në ardhmëri shohin Maqedoni multietnike, multikonfesionale, multikulturore, ku nuk janë të ndarë në geto, por janë pjesëmarrës të barabartë në shtetin. Për ata, flamuri dhe dygjuhësia nuk ka shumë rëndësi, nëse nuk kanë çfarë të vendosin mbi tryezë para fëmijëve të tyre, nëse nuk kanë mbathje t’u mbathin në këmbët e fëmijëve që të shkojnë në shkollë, nëse në ato shkolla ligjërojnë ushtarë partiak gjysmanalfabetë, nëse fëmijët u largohen nëpër vende të huaja, nëse u shesin peceta nëpër rrugë ose mbarojnë në burg për shkak të krimit, ose plotësisht të pafajshëm...
Atë që më së miri e dinë politikanët shqiptarë në këtë moment, është se çmimi i tyre është i lartë në krahasim me atë që e kanë ofruar deri tani dhe me atë që e ofrojnë për të ardhmen. Sidoqoftë, duhet të dinë se qytetaret dhe qytetarët e komunitetit etnik shqiptar, më nuk do të lejojnë t’i tërheqin për veshë dhe për qafe, dhe se votat e tyre do t’i japin për atë opsion politik që do t’u ofrojë jetë më të mirë, dhe jo poshtërim dhe dhunë.
Nëse dygjuhësia është e papranueshme për maqedonasit, për këtë gjë nuk është përgjegjës vetëm Gruevski dhe propaganda e tij dhjetëvjeçare fashiste, por edhe Ahmeti, i cili ishte bashkëpunëtor i drejtpërdrejtë në ndezjen e mos-tolerancës etnike dhe fetare në vendin tonë. Nëse përdorimi i gjuhës dhe flamurit janë temë veç më e kaluar, Gruevski dhe Ahmeti janë ata të cilët nuk mund t’i bindin shqiptarët se flamuri dhe gjuha nuk lyhen mbi bukë. Këto tema janë të rregulluara me Marrëveshjen e Ohrit, me Kushtetutë dhe standarde ndërkombëtare, por pikërisht Gruevski dhe Ahmeti, si dhe paraprakisht edhe Thaçi, i shndërruan në argumente nacionaliste, mjet për mbjellje të urrejtjes dhe për manipulim në dhjetë vitet e fundit.
Se si kanë luajtur BDI dhe PDSH, vërehej në mënyrën me të cilën merrnin pjesë në Qeverinë me Guevskin, në skenën politike në përgjithësi, ndërsa ilustrim i shkëlqyer për këtë është edhe veprimi i tyre në punën e Komisionit Shtetëror Zgjedhor. Derisa para KSHZ bërtitnin parulla ultranacionaliste, ndërsa kreu i DPMNE mbante fjalime fashiste, duke bërë thirrje për gjak, i diskreditoi miqtë ndërkombëtarë të Maqedonisë dhe kërcënohej me shkatërrimin e shoqërisë qytetare, ushtarët partiak të BDI dhe PDSH votuan ashtu si u tha pronari Gruevski.
Pozita e Ahmetit është shumë e ngjashme me atë të Amdi Bajramit. Dallimi qëndron në koloritin dhe numrat, e me këtë edhe në shumat. Lojë me fituesin. Tani, kur nuk është e lehtë të përcaktohet fituesi, ndërsa është pothuajse e sigurt se anëtarësitë dhe votuesit e partive të shqiptarëve nuk do të pajtohen me koalicion me partinë nacionaliste, të cilën e udhëheqin të dyshuar për krime, sikleti i tyre është i madh. Pushteti është i ëmbël.
Për Ahmetin është më rehatshëm të mbetet në prehrin e Gruevskit, por ashtu do të mbetet vetë. Nga ana tjetër, nëse bën koalicionin me LSDM, ai do të duhet ta luajë rolin e Kalit të Trojës, sepse lidhja e tij me pronarin është e fortë dhe e lëngshme. Ai do të vazhdojë me belbëzimin e kushteve të njëjta para publikut dhe do të tregojë se si shqiptarët nuk janë të kënaqur, në tentim t’i egërsojë raportet mes komuniteteve, dhe këtë ta shfrytëzojë për rehabilitimin e tij, dhe të imponohet si përfaqësuesi i vetëm relevant i shqiptarëve. Mirëpo...
Derisa Ali Ahmeti, por edhe liderët e partive tjera shqiptare i fërkojnë duart dhe i mprehin kthetrat në qëllimin për grabitje të një pjese të pushtetit, dhe ndikimit te votueset dhe votuesit shqiptarë, Maqedonia po ndryshon. Madje, edhe ata që lëvrojnë tokën me plug druri në fshatrat malore, më në fund e kuptuan se fuqia e politikanëve nuk është e dhëne nga Zoti, por se ajo vjen nga njerëzit, nga eshtrat dhe mishi i tyre, nga jetët e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
This post is also available in: Macedonian