“Nuk kam as për bukë” janë video-dëshmi për padrejtësitë sociale në Republikën e Maqedonisë në prodhim të CIVIL Media, projektimi i të cilit, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Sociale do të mbahet në hotelin Siti Park, sot, me fillim prej orës 12. Fondacioni Fridrih Ebert (FES) dhe CIVIL – Qendra për Liri së bashku po punojnë në temat e fushës së drejtësisë sociale prej fillimit të vitit 2015.
Të keqpërdoruar, të eksploatuar, të nënçmuar, të pezmatuar, të varfër... Përgjatë vitit të kaluar, ekipi i CIVIL Media e kryqëzoi vendin me hulumtim të gjendjes së të drejtave të punëtorëve dhe drejtësisë sociale në përgjithësi. Përfundimi i përgjithshëm është se institucionet e shtetit dhe institucionet lokale nuk funksionojnë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë dhe standardet ndërkombëtare që janë ratifikuar dhe duhet të kenë forcë në ligjet nacionale në vend.
“Gjendja sociale dhe të drejtat e punëtorëve në Republikën e Maqedonisë janë në nivel të ulët të papranueshëm. Përditë qytetaret e qytetarët e Maqedonisë përballen me një sfidë të thjeshtë – të mbijetojnë. Një pjesë e punëdhënësve në vend punëtorëve u paguajnë kompensime mizore për punën e vështirë, me ç’rast nuk sigurojnë as kushtet minimale për punë dhe i trajtojnë nën nivelin e dinjitetit njerëzor. Këtë gjendje e konstatuam përgjatë hulumtimit nëpër gjithë Maqedoninë. Veçanërisht keqpërdorime të vështira me punëtorët dhe me qytetaret e qytetarët e rrezikuar në aspektin social po bëhen në kontekst zgjedhor.” – deklaroi Xhabir Deralla nga CIVILi.
“Duke e pasur parasysh gjendjen e vështirë në liritë mediumore në vend, Redaksia CIVIL Media e përdori mjetin metodologjik Street Media, që nënkupton produksion dhe video-projeksione të përmbajtjeve informative në sheshet nëpër Maqedonia përmes të cilëve opinioni publik mundet në mënyrë të drejtpërdrejtë të njoftoet me gjendjet sociale në ambientet e veta. Në këto ngjarje, të pranishmit mund të marrin pjesë me pyetje dhe komente, të cilëve do t’u përgjigjen përfaqësues të shoqërisë qytetare dhe ekspertë që i ftojmë të flasin zëshëm, e për të cilat, siç duket, nuk ka hapësirë në mediumet nacionale.” – deklaroi Sinisha Stankoviq, kryeredaktor i CIVIL Media.
Me këto njohuri dhe me një film të shkurtër dokumentar me titull “Nuk kam as për bukë” në të cilin publikohen dëshmi për padrejtësitë sociale prej tridhjetë e sa qytetare e qytetarë nga më shumë qytete në vend, FES dhe CIVIL do ta shënojnë këtë ditë dhe do të mundohen opinionit publik dhe institucioneve t’ia tërhqesin vëmendjen për gjendjen zhgënjyese në të cilën gjendet një pjesë e madhe e popullatës së Republikës së Maqedonisë. Një pjesë e filmi janë edhe paraqitjet skenike të Marija Grubor, Xhabir Deralla dhe Petrit Saraçini.
Ekipi i CIVIL Media që e bënë këtë film përbëhet nga: Biljana Jordanovska, Arbana Qerimi, Xhabir Deralla dhe Sinisha Stankoviq (redaktor), përderisa për montazhin u përkujdesën Nikolla Ugrinovski dhe Vlladimir Perçuklievski.
Në projeksion dhe diskutimin e sotëm janë të ftuar mediumet, organizatat qytetare dhe qytetaret e qytetarët e interesuar. Pas ngjarjes, filmi do të publikohet në kanalin e ri të CIVILit në Youtube. Në këtë shënim do të flasin një pjesë e autoreve/autorëve në projekt dhe Millan Zhivkoviqit nga FESi.
Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara e shpalli 20 shkurtin si Ditë Ndërkombëtare të Drejtësisë Sociale në vitin 2007. OKB-ja i fton të gjitha vendet-anëtare t’ia kushtojnë këtë ditë promovimit të aktiviteteve nacionale që duhet të jenë në përputhje me synimet e Samitit Botëror të Zhvillimit Social t mbajtur në Kopenhagë në vitin 1995, si dhe dokumente të tjera të miratuara nga Asambleja e përgjithshme të OKB-së.
Shënimi i Ditës Ndërkombëtare të Drejtësisë Sociale duhet t’i përkrahë përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për çrrënjosje të varfërisë, promovim të punësimit të plotë dhe punë të dinjitetshme, barazinë gjinore dhe qasje në mirëqenien sociale dhe drejtësinë sociale për të gjithë.
Përktheu nga maqedonishtja: Arsim Jonuzi