“Per qualche dollaro in più, Tearcë, Part Two”

Qindra policë me automjete të blinduara, ushtarë dhe muskuj partiakë, shumë zyrtarë të partive, diplomatë, ekipet vendase dhe të huaja të gazetarëve me dhjetëra kamera vazhdimisht të pranishme në vendin e votimit, vëzhgues, m ‘sitë, ryshfexhinj, sehirxhinj ...

Shkruan:Petrit Saraçini

Shkruan:Petrit Saraçini

Si kurrë më parë dhe paskëtaj, rruga përpara shkollës fillore lokale ishte e stërmbushur. Në çajtoret karshi, të vizituara nga myshterinj të cilët ndoshta kurrë më nuk do të vijnë këtu, nën tymin e duhanit flitet me zë të ulët dhe pak, e dëgjohet dhe vëzhgohet shumë. Çdo hyrje e ndonjë personi të pazakontë sjell heshtje të vogël dhe të pakëndshme ....

Tearca është me të vërtetë një pasqyrë e shoqërisë sonë. Jo vetëm për shkak të përbërjes së përzier të popullsisë dhe kontekstit shoqëror dhe ekonomik të përbashkët - varfëri, shkatërrim i institucioneve, degradim i shëndetësisë, arsimit dhe kulturës…Ajo është gjithashtu simbolike e një "vendi të vogël", në Maqedoni apo Meksikë, sidoqoftë, i cili duhet të ballafaqohet me barrën e banditëve lokale dhe të ardhur, me sherifët, donët, kaubojtë dhe indianët, heronjtë dhe anti-heronjtë...

Çdo gjë që ndodhi këtyre ditëve para rivotimit dhe dje gjatë përsëritjes së koçan - rimejkut të votimit, mund bile të përdoret si një skenar për një trilogji moderne uestern, sikur ajo e Sergio Leone-s.

E, çfarë ishte ajo që ndodhi në versionin tonë të "Për një grusht dollarë", "Për disa dollarë më shumë" dhe "I miri, i keqi dhe i shëmtuari"?

Siç thuhet, disa indianë, të kapur për qafe, votuan për ‘naçallnikët’ fytyrëzbehtë. Disa ishin të lutur me të mirë të mos lëvizin prej vigvameve të tyre. Me oferta që nuk mund të refuzohen.

Të këqijtë humbën, por fituan. Të mirët fituan, por humbën. E, të shëmtuarit? Ata mbetën "të shëmtuar e të pikëlluar" – indianë besnikë deri në vdekje, më fytyrëzbehtë se fytyrëzbehtit.

Megjithatë, nuk mund të themi se kjo histori emocionuese nuk kishte, sado-kudo, hepiendin e saj. Njerëzit e mirë treguan se janë më shumë se qoset. Shqiptarët i mundën bindshëm indianët. E rezultati përfundimtar nuk premton shumë rehati për ‘naçallnikët’ fytyrëzbehtë dhe shefat e dëgjueshëm të fiseve. Përkundrazi.

Kjo është, shkurtimisht, përmbledhja e filmit të djeshëm “Per qualche dollaro in più, Tearcë, Part Two”. Me paralajmërim se shumë shpejt do të vijojë edhe vazhdimi, edhe në kinematë, rrugët dhe shtëpitë tuaja, apo siç thuhet në gjuhën angleze - "in the cinema near you".

 

This post is also available in: Macedonian