Kështu nuk shkon më! Përkundër të gjitha keqpërdorimeve dhe krimeve për të cilat dëgjuam nga bisedat e përgjuara të cilat i zbardhi opozita, përkundër të gjitha raporteve të organizatave për të drejtat e njeriut për keqpërdorimet e rënda, kidnapimin e institucioneve, mediat e pushtuara, mashtrimet zgjedhore dhe dhuna strukturore që praktikohet me vite, partitë në pushtet fituan mundësinë të marrin pjesë në procesin dhe në negociatat për tejkalimin e krizës politike në Republikën e Maqedonisë.
Pajtueshmëria për t’i respektuar rekomandimet të cilat dalin nga Raporti i Rajnhard Pribes dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR u dëshmua me nënshkrimet e liderëve të katër partive më të mëdha në marrëveshjet për tejkalimin e krizës politike të 2 qershorit dhe 15 korrikut. U nënshkrua edhe lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski, i cili vazhdon ta okupojë pozitën e kryeministrit të vendit.
Por, Maqedonia edhe më tej pret ndryshimet në Kodin Zgjedhor, reformat e Komisionit Shtetëror Zgjedhor, trupave të tij dhe një sërë reformash të nevojshme për të siguruar së paku kushte minimale për mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të caktuar për 24 prill 2016.
Përkundër të gjithave, jemi dëshmitarë të një procesi të ngadaltë të negociatave dhe të obstruksionit të negociatave. Nëse negociatat zhvillohen prapa dyerve të mbyllura, fushata e vazhdueshme nuk mund të fshihet nga sytë e qytetareve dhe qytetarëve. Të njëjtën ditë kur nënshkrimin e vet e vuri në marrëveshjen e parë të 2 qershorit, për tejkalimin e krizës politike, Nikolla Gruevski e intensifikoi fushatën e vet, me keqpërdorim të resurseve publike dhe me manipulim maksimal të mendimit publik nëpërmjet mediave të cilat i mban nën kontroll.
Tanimë u shkelën afatet për ndryshimin e Kodit Zgjedhor dhe për reforma të tjera urgjente.
CIVIL – Qendra për Liri, kërkon vazhdimin e negociatave, të cilat do të japin rezultat menjëherë, sot! Duke pasur parasysh kohën e humbur, kërkojmë të anulohen zgjedhjet për një muaj, por, pa anulimin e dorëheqjes së Gruevskit, sepse vonesa e realizimit të marrëveshjes politike, si dhe keqpërdorimet dhe fushatat, janë rezultat i shkeljes së kësaj marrëveshjeje.
Shteti gjithsesi nuk funksionon, sepse të gjitha institucionet janë pjesë e fushatës agresive politike dhe asgjë tjetër.
Prandaj, në rast se nuk ndalon fushata dhe nuk realizohet marrëveshja politike, pa mashtrime të stilit të rrugaçëve, Qeveria duhet të japë dorëheqje menjëherë, ndërsa Prokuroria e Posaçme Publike ta shpejtojë punën e vet. Zgjedhjet duhet t’i realizojë një qeveri e përkohshme, e cila në mënyrë parimore dhe transparente do t’i zbatojë reformat e domosdoshme dhe ta respektojë Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Maqedonisë
Македонски
Shqip
English





